“Dhurimi i gjakut shpëton jetë dhe të shpëtosh një jetë njerëzore është si të shpëtosh të gjithë njerëzimin”
Gjaku është diçka që nuk ka alternativë, prandaj nevoja për gjak është konstante. Çdo ditë, njerëzit përballen me aksidente, operacione dhe probleme të tjera shëndetësore që kërkojnë transfuzion gjaku për të shpëtuar jetën e tyre.
Dhurimi i gjakut është një proces i thjeshtë dhe çdo pikë gjaku i dhuruar mund të shpëtojë jetën e një personi. Gjithashtu, dhurimi i gjakut mund të ketë përfitime pozitive shëndetësore për vetë dhuruesit, duke përfshirë stimulimin e prodhimit të gjakut të freskët dhe reduktimin e rrezikut të zhvillimit të sëmundjeve.
Gjaku i dhuruar është një burim i paçmuar në mjekësi, por përpara se të përdoret, ai duhet të kalojë nëpër procese rigoroze të përpunimit, testimit dhe ruajtjes për tu siguruar që është i sigurt dhe efektiv për pacientët. Kur një person dhuron gjak, personeli mjekësor merr afërsisht 450-500 ml gjak të plotë në qese të veçanta që përmbajnë një antikoagulant. Në të njejtin moment meren mostra të vogla shtesë për testime laboratorike. Për të garantuar sigurinë e gjakut, mostrat testohen për praninë e infeksioneve dhe faktorëve të tjerë që mund të rrezikojnë përdorimin e tij. Mjekësia moderne rrallë përdor gjak të plotë. Në vend të kësaj, ai ndahet në përbërësit e tij kryesorë përmes një procesi të quajtur centrifugim, duke rezultuar në një masë të qelizave të kuqe të gjakut, koncentratit të trombociteve, plazmës dhe krioprecipitatit. Masa eritrocitare është e nevojshme për transportin e oksigjenit dhe përdoret në anemi, ndërhyrje kirurgjikale dhe gjakderdhje. Ruhet në temperaturë 1–6°C deri në 42 ditë. Koncentrati i trombociteve, i cili është i rëndësishëm për koagulimin e gjakut, përdoret në pacientët me trombocitopeni, leuçemi dhe gjakderdhje masive dhe ruhet në temperaturë 20-24°C me përzierje të vazhdueshme, deri në 5-7 ditë. Plazma, e cila është e pasur me faktorë të koagulimit dhe proteina, përdoret për të trajtuar çrregullimet e koagulimit, djegiet dhe humbjet e mëdha të gjakut dhe ngrihet në -18°C ose më të ulët, me mundësi ruajtjeje deri në 1 vit. Krioprecipitati, i cili është një koncentrat i faktorëve të koagulimit, përdoret për trajtimin e hemofilisë dhe sëmundjes von Willebrand, fitohet gjithashtu nga plazma. Në kushte kritike, pacientët mund të marrin një kombinim të produkteve të shumta të gjakut. Para çdo transfuzioni kryhet një test përputhshmërie për të shmangur reaksionet hemolitike. Përpunimi i gjakut të dhuruar është një proces kompleks dhe i rregulluar me kujdes që siguron siguri dhe efikasitet. Duke ndarë përbërësit e gjakut, mjekësia lejon përdorimin e duhur të çdo njësie të dhuruar, duke shpëtuar jetë të panumërta.
Jini njerëzorë, dhuroni gjak dhe ndihmoni në lehtësimin e procesit drejt një shërimi të shpejtë dhe të suksesshëm për shumë njerëz që luftojnë për shëndetin dhe jetën e tyre.
#ПомогнетеСиНаСебе
#NdihmoniVetenTuaj

НЕУРОСОНИК – Здравје и спокојство од природата
NEUROSONIK – Shëndet dhe qetësi nga natyra














